Zbulimet e fundit: Hitleri kishte vetëm ‘një testikul’

Kënga që këndohet në oborret shkollave ndër breza të tërë nga fëmijët britanikë, duke tallur Adlof Hitlerin se kishte vetëm “një testikul”, mund të jetë plotësisht e vërtetë.

Një historian gjerman ka zbuluar të dhënat e humbura prej kohësh që flasin për gjendjen mjekësore te kryenazistit Hitler, në të cilat konfirmohet legjenda urbane se ai kishte vetëm një “herdhe”, shkruan gazeta britanike The Guardian, transmeton Klan Kosova.

Këto të dhëna që datojnë që nga viti 1923, kur atij i ishte bërë një ekzaminim mjekësor pasi ishte arrestuar, tregojnë se ai vuante nga një sëmundje që quhet “cryptorchidism” që nënkupton se njëri testikul te meshkujt, mund të mos jetë në vendin e duhur. (Është anomali e lindjes te fëmijët meshkuj, pasi që testikuli nuk ndodhet afër organit gjenital por mbetet në abdomen).

Shënimet nga ekzaminimi mjekësor që në atë kohë e kishte kryer Dr. Josef Steiner Brin, që ishte zyrtar mjekësor në burgun Landsberg, thonë se Adolf Hitleri, artist dhe shkrimtar, ishte në gjendje shumë të mirë shëndetësore dhe i fortë. Ndonëse pas një kohe të gjatë, këto shënime nga ekzaminimi mjekësor i Hitlerit kanë dalë në sipërfaqe në një ankand në Bavari në vitin 2010, e më pas janë konfiskuar nga qeveria bavareze.

Vetëm tani shënimet në fjalë kanë rënë në dorë të historianit, Profesor Peter Fleischmann nga Universiteti Erlangen-Nuremburg.

Normalisht, testikujt e burrave kanë aftësinë që të zbresin në skrotum afër organit gjenital, gjatë fëmijërisë së tyre, mirëpo “topi” i Hitlerit kishte mbetur në po atë vend.

Gjetjet e reja janë kontradiktore me spekulimet e një kohe të gjatë se Hitleri e kishte humbur njërin testikul gjatë një beteje në Somme gjatë Luftës së Parë Botërore.

Këto thashetheme se Hitleri e kishte humbur bolen gjatë luftës së parë botërore, i kishte pohuar edhe Franciszek Pawlar, një prift dhe historian amator nga Polonia, i cili pretendonte se ishte një mjek i ushtrisë Gjermane ai që i kishte treguar atij për incidentin e Hitlerit.

Të gjeturat e reja po ashtu bien në kundërshtim me deklarimet e mjekut që kujdesej për Hitlerin që në fëmijëri, i cili u kishte thënë hetuesve amerikanë në vitin 1943, se organet riprodhuese të nazistit, ishin plotësisht normale./klan