Zgjedhjet antikushtetuese

Serbia po vazhdon avazin e vjetër të organizimit të zgjedhjeve edhe në territorin e Kosovës. Një veprim i tillë po shihet i kundërligjshëm nga ekspertë kushtetues e nga partitë opozitare. Por, zyrtarët qeveritarë thonë se një praktikë e tillë e pranojnë mbi njëqind shtete

Serbia sot do t’i zhvillojë zgjedhjet parlamentare dhe lokale. Zgjedhjet serbe do të organizohen edhe në Kosovë për t’ua mundësuar serbëve që jetojnë në Kosovë dhe kanë shtetësi serbe ta shprehin vullnetin e tyre. Këtë praktikë Serbia po e bën që prej pasluftës duke organizuar zgjedhje edhe në territorin e Kosovës, ani pse kjo po quhet vetëm grumbullim i votave e jo hapje e vendvotimeve.

Por pavarësisht kësaj, nga ekspertët kushtetues një praktikë e tillë po vlerësohet të jetë në kundërshtim me aktin më të lartë juridik në Kosovë. Madje, mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë, sipas tyre, është edhe diçka e rrezikshme. Edhe opozita e quan shkelje kushtetuese edhe të sovranitetit të Kosovës organizimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë.

Mirëpo, sipas zëvendësministrit të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, një praktikë e tillë nuk është shkelje e Kushtetutës.

“Jo, nuk ka fare shkelje kushtetuese këtu. Kjo praktikë pranohet nga mbi 100 shtete. Për shembull, Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka lejuar, madje, votim të tillë në territorin e tyre për zgjedhjet presidenciale ruse”, ka thënë Gecaj për gazetën “Zëri”.