Zgjedhjet në UP do të mbahen në pranverë të 2016-ës

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës është miratuar Udhëzimi Administrativ për organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme dhe të parakohshme në Universitetin Publik “Hasan Prishtina”.

Sipas komunikatës së Qeverisë së Kosovës, me këtë miratim hapet rruga për zgjedhjet në UP, gjatë pranverës së vitit të ardhshëm, transmeton Koha.net.

Zgjedhjet e parakohshme u shpallën si nevojë për dalje nga kriza në të cilën ka hyrë Universiteti i Prishtinës, pas bllokimit të Senatit. Këshilli Drejtues i UP-së kishte marrë vendim për shkarkimin e rektorit Ramadan Zejnullahu, por kjo kishte hasur në kundërshtimin e ministrit Arsim Bajrami, që kishte shkarkuar kryetaren e KD-së, Shefkije Islamajt, njëkohësisht kishte kërkuar nga rektori Zejnullahu që të qëndrojë në postin e rektorit, deri në hapjen e procesit të zgjedhjeve të parakohshme.