Zharku: Gjashtë muaj burg për shoferët që tejkalojnë shpejtësinë në komunikacion (Video)

Lutfi Zharku, ministër i Infrastrukturës, i ftuar në emisionin “Puls” të KTV-së, ka thënë se përballet me presion më të madh për shkak të investimeve të mëdha kapitale, qoftë nga ana e biznesit qoftë e publikut. Ai bëri me dije se me Ligjin e ri për rregullat në komunikacion do të ketë dënime drastike për tejkalim shpejtësie

Zharku, duke folur për tenderin për mirëmbajtjen e autostradës, thotë se kanë pasur telashe dhe, sipas tij, pasi është futur në rivlerësim, ani pse ka problem mes KRPP-së dhe OSHP-së, fatkeqësisht ai rivlerësim na ka dhënë rrugën se “kujt t’ia japim tenderin”.

I pyetur se a është nën hetime, Ministri ka thënë se të gjithë ata persona që menaxhojnë me paranë publike, duhet të hetohen.

“Por hetimet nuk duhet të merren si formë e shantazhit. Ka lloje të ndryshme të shantazheve indirekte. Nëse dikujt i është ndalë biznesi, nesër del ndonjë sulm nga ndonjë shkrim”, ka thënë ai, raporton Koha.net.

Tutje, Zharku ka thënë se në vitin 2014 në autostradën “Arbën Xhaferi” janë investuar 56 milionë euro, ndërsa sivjet janë paguar edhe 90 milionë euro.

“Kontrata për autostradën “Arbën Xhaferi” është saktë 599 milionë 923 mijë 400 euro dhe nuk guxon të rritet më shumë se 10% për punë shtesë që mund të na ndodhin”, theksoi ministri.

Ndërkaq, ministri i Infrastrukturës, ka thënë se buxheti për vitin 2016 vetëm për investime kapitale do të jetë 183 milionë euro, ndërsa 173 milionë tjera për projekte kapitale.

“Vitin 2016 për autostradën “Arbën Xhaferi” do të paguhen 108 milionë, 43 milionë euro janë për projektet që vazhdojnë, ndërsa rreth 21 milionë tjera janë për projekte të reja. Janë 82 projekte të reja ku janë të përfshira të gjitha komunat e Kosovës”, theksoi ministri Zharku.

Zharku tha se është vendosur që autostrada “Ibrahim Rugova” të vazhdohet për në Merdare e jo në ndonjë trase tjetër.

“Studimi i fizibilietit është duke u bërë për Merdare dhe jemi duke punuar të shohim se a do të vazhdohet në nivelin e autostradës së tipit të hapur e jo të mbylltë. Autostrada e Gjilanit, si projekt është përfunduar dhe janë dy variante se kah do të kalojë. Mendojmë të fillojmë kah viti 2017”, potencoi ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku.

Ministri bëri me dije se financimi i rrugës magjistrale Prishtinë – Mitrovicë nga sauditët dhe OPEK-u është bllokuar dhe shtoi se nuk ka informacione se pse është ndaluar.

“Kemi pasur të takohemi në shtator, ndërkaq është shtyrë për në tetor, pastaj e kemi prit në nëntor dhe ende po presim. Nuk kanë dhënë arsyetim pse janë këto vonesa”, tha ministri Zharku.

Ai tha se Qeveria ka kërkuar ndihmë nga BE-ja për hekurudhat nga Leshaku deri në Han të Elezit, duke theksuar se në fillim të tetorit është nënshkruar marrëveshja e parë për 40 milionë eurot e para.

“Rreth 200 milionë euro është totali. Nga kjo shumë, 80 milionë euro janë grante e 80 milionë tjera janë kredi. Pjesa tjetër do të financohet nga ana e buxhetit të Kosovës”, bëri me dije Zharku.

Në lidhje me shembjen e dheut në autostradën “Ibrahim Rugova”, ministri Zharku tha se “nuk kemi dalë bash mirë”.

“Ka qenë një premtim që do të rehabilitohet, edhe pse nuk kanë qenë obligime të Bechtel & Enkas. Shkaku i parë i shembjes është projektimi i gabuar. Problemi i dytë është në zbatim dhe problemi i tretë është mosmirëmbajtja e duhur e kanaleve nga ana e ministrisë”, tha Zharku.

Në lidhje me çështjen e patentshoferëve, ku dyshohet se ka shumë keqpërdorime, Ministri Zharku këtë e cilësoi si problemin më të madh.

“I kam ndërruar ekzaminerët dhe tash janë të jashtëm, pasi që të gjithë kandidatët e kalonin testin dhe pajiseshin me patentshoferë. Ndërsa tash ka përmirësim, më pak kandidatë janë duke e kaluar provimin”, theksoi ai.

Ai bëri me dije se me Ligjin e ri për rregullat në komunikacion, të cilin tha se e kanë dërguar në Qeveri, do të ketë dënime drastike për tejkalim shpejtësie.

“Nëse e tejkaloni shpejtësinë, pra nëse është 40 km në orë e ju e tejkaloni dhe shkoni mbi 70 km në orë, do të shkoni drejt 6 muaj në burg”, ka theksuar Zharku.

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, preku edhe çështjen e bashkatdhetarëve të cilët pothuajse çdo vit mashtrohen me bileta dhe mbesin të ngujuar në aeroport.

“Çdo bashkatdhetar që mbetet në aeroport, duhet të vjen tek ne dhe ta mbush një formular dhe të bëjë padinë”, tha ministri Zharku.

https://youtu.be/_IqxJms6G2A