Zhvillimi i njerëzve ndër vite – si zgjatemi ne

Njerëzit janë zgjatur për 10 centimetra në 100 vjet, kryesisht në fillim të shekullit 20. Kjo arritje e tyre tregon se si kushtet tona të jetesës gjatë fëmijërisë ndikojnë në shtatin tonë

Perandori francez, Napoleoni I, i ka huazuar emrin e tij një kompleksi pasigurie që thuhet se mundon disa meshkuj trupshkurtër. Por, neuroza mban një emër të gabuar: Me gjatësi prej 1 metër e 67 centimetra, Napoleoni praktikisht ishte më trupgjatë se francezi mesatar i kohës së tij.

Mbase ne harrojmë që gjatë shumicës së historisë së njerëzimit botën e dominonin trupshkurtrit sepse Hollivudi është i prirë që në drama historike t’u japë role meshkujve me trup të zhvilluar. Para se të zbuloheshin automjetet dhe antibiotikët, mashkulli mesatar evropian kishte trup më të shkurtër sesa adoleshentja mesatare amerikane e ditëve të sotme, ka bërë të ditur The Atlantic.

Vitin e kaluar, Tim Hatton, një ekonomist në Universitetin e Esiksit në Britani, ka përmbledhur të dhënat për gjatësitë e 21-vjeçarëve evropianë nga viti 1860 deri më 1980. Rezultatet, të cilat janë publikuar në Oxford Economic Papers, kanë qenë interesante: Mashkulli mesatar evropian është bërë rreth 11 centimetra më i gjatë ndërmjet vitit 1870 dhe 1970, duke fituar rreth një centimetër për një dekadë. Një mashkull mestar britanik i shekullit të nëntëmbëdhjetë ishte veç 1.62 centimetra i gjatë, mirëpo në vitin 1980 gjatësia e britanikut mestar ishte 1.72 centimetra.
Mesatarisht, evropianët janë zgjatur më shpejt se latinoamerikanët, jugaziatikët dhe afrikanët. Por, fakti se zgjatja më e madhe ka ndodhur në fillim të shekullit të njëzetë – gjatë dy luftërave botërore, përkujdesjes së dobët shëndetësore dhe një recesioni global ekonomik – ka çuditur shumë. Ushqimi është bërë më i lirë ndërmjet luftërave, por njerëzit gjithashtu zhvendoseshin gjithnjë e më shumë në qytete dhe larg produkteve të freskëta të bulmetit dhe të drithërave. “Nuk mund të jetë vetëm ushqyerja”, është shprehur Hatton.

“Duhet të ketë qenë edhe diçka tjetër”.
Kur mendojmë se pse zgjatemi, ndihmon vizualizimi i trupit si një lloj makine, ashtu siç ka bërë ekonomisti Richard Steckel: “Kjo makinë harxhon karburant duke pushuar (metabolizmi bazë), në sasi prej 1.200 deri 1.400 kalori në ditë (varësisht nga madhësia e personit) për të marrë frymë, për t’u ngrohur, për të qarkulluar gjakun dhe kështu me radhë, dhe për përpjekje fizike, luftim të infeksioneve dhe zhvillim fizik”. Ne hamë ushqim për t’i mbajtur motorët tanë në funksion. Trupat tanë më pas i përdorin këto kalori për të zgjatur eshtrat tona dhe për t’i shumuar qelizat tona deri në fund të pubertetit. Por, kur prekemi nga infeksionet dhe nuk ushqehemi mirë, zgjatja ngec për të mbajtur në funksion zemrën dhe organet. Nëse prekemi nga shumë sëmundje dhe mungesa, na ndërpritet mundësia për të arritur gjatësinë që do të kishim mundur të arrinim.

Përderisa rreth 80 për qind e gjatësisë përcaktohet nga gjenet, auksologët (kështu i quajmë ata shkencëtarë që merren me gjatësinë e trupit), tani besojnë se ushqimi dhe higjiena përcaktojnë pjesën tjetër. Siç ka shkruar Burkhard Bilger nga The New Yorker në vitin 2004, “dallimet në gjatësi brenda një popullsie janë kryesisht gjenetike, por dallimet në gjatësi ndërmjet popullsive të ndryshme janë kryesisht mjedisore, sugjeron historia antropometrike. Joe mund të jetë më i gjatë se Jacku, sepse prindërit e tij me gjasë janë më të gjatë. Por, norvegjezi mesatar mund të jetë më i gjatë sesa nigeriani mesatar, sepse norvegjezët kanë standarde më të larta të jetesës”.