Zvaritet tranferimi për pensionet e veteranëve

Tetë milionët e zotuara nga Qeveria e Kosovës për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) pritet që së shpejti të barten në llogarinë e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS).

Vendimi për bartjen e këtyre mjeteve është nënshkruar nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Qeveria e Kosovës vendosi në mbledhjen e së premtes, më 6 nëntor, që ta alokojë këtë shumë të parave për qëllim të pensioneve të veteranëve, por transferimin e tyre është thënë se po e zvarrit një nënshkrim i munguar i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, meqë ai gjendet jashtë vendit.

Vendimi i Qeverisë kishte gëzuar shumë veteranë të UÇK-së, të cilët kanë shpresuar që shumë shpejt do t’i marrin edhe 170 eurot e premtuara si pension. Kjo shumë është premtuar që të ndahej për ta në mënyrë retroaktive, nga 1 tetori i këtij viti.

Ushtruesja e detyrës së drejtorit të Departamentit për Kategori të Luftës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Shqipe Krasniqi, ka thënë për “KALLXO.com” se këto pensione ende nuk kanë filluar të ndahen. Sipas Krasniqit, ministria ka qenë në pritje të nënshkrimit të vendimit për alokim të fondit nga kryeministri Mustafa. “Vendimi është marrë. Sot kryeministri e ka nënshkruar vendimin dhe pas këtij nënshkrimi pritet edhe bartja e mjeteve. Shumë shpejt do të fillojmë edhe ndarjen e tyre në llogaritë bankare të aplikuesve”, ka deklaruar Krasniqi.

Deri tani për këtë pension kanë aplikuar 13 256 persona nga e gjithë Kosova. “Ankesa më shumë se tash nuk ka pasur kurrë, sepse secili rast që po vjen është më specifik se tjetri e më i rëndë se tjetri”, është shprehur Krasniqi.

Përfituesit e parë të pensionit do të jenë 2 700 persona ndërsa, sipas Krasniqit, deri më 20 nëntor pritet që edhe pesë mijë të tjerët të kenë mundësi t’i marrin pensionet. “Të gjithë ata që kanë aplikuar në muajin tetor do t’i marrin pensionet në muajin nëntor”, ka deklaruar Krasniqi. Ajo ka thënë se ende po u duhet të merren me listat e veteranëve dhe verifikimin e tyre, pasi ka nga ata që janë përfitues të ndonjë pensioni tjetër ose që janë në punë. Atyre që përfitojnë nga skema të tjera sociale do t’u paguhet vetëm pjesa shtesë e pensionit të veteranit për ta arritur shumën prej 170-eurosh. “Mjetet janë të ndara për tre muaj, tetor, nëntor dhe dhjetor dhe të gjithë do t’i marrin ato pensione, edhe pse mund të ketë vonesa”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa udhëheqësi i Zyrës së Veteranëve të UÇK-së në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, Faik Fazliu, ka deklaruar se tani e tutje me procesin e pensioneve të veteranëve do të merret Ministria e Mirëqenies Sociale. “Ne e kemi bërë vetëm verifikimin e listave dhe mundësinë e aplikimit për lista. Pjesën tjetër e ka Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale”, ka thënë Fazliu për “KALLXO.com”.