Zyrtare: Ylli i Skënderbeut shitet te Genti për një shifër rekorde (Foto)

Transferimi i Peter Olayinka nga kampionët e Shqipërisë të Skënderbeut te kampionët e Belgjikës të Gent zyrtarizohet ende pa u hapur merkato e janarit.

Nëpërmjet klubit të Gent, Supersport zbuloi fotot ekskluzive të momentit kur u arrit marrëveshja. Në fotografi sulmuesi nigerian paraqitet duke hedhur firmën në kontratë, në praninë e Drejtorit Sportiv të klubit korçar, Haris Fakiç.

Përpos akordit me talentin 20-vjeçar, përfaqësuesit e Gent firmosën edhe kontratën me ekipin e Skënderbeut, për realizimin e transferimit, menjëherë sapo merkato e janarit të hapet.

olainka-te-gent-658x6581-300x300

Transferimi i Olayinkas te kampionët në fuqi të Jupiler Pro League mendohet se është realizuar për 1,1 milionë euro, duke bërë që ai të jetë edhe lojtari më i shtrenjtë i shitur në historinë e kampionatit shqiptar.

Edhe pse ka pasaportë nigeriane, Peter Olayinka është një prodhim i mirëfilltë i Kategorisë Superiore, ku ai debutoi prej moshës 16-vjeçare me Bylisin, ndërsa në dy vitet e fundit me Skënderbeun arriti nivele aq të larta, sa tërhoqi vëmendjen e disa klubeve të mëdha evropiane.

Sipas kontratës së firmosur me Gent, sulmuesi do të luajë te kampionët e Belgjikës deri në vitin 2019. Pas aventurës me Skënderbeun në Europa League, Olayinka do të vazhdojë të prezantohet në ndeshjet ndërkombëtare, por këtë herë në 1/8-at e Champions-it./telegrafi/