Besa Gaxherri flet për raportet mes LDK’së dhe Vetëvendosjes pas seancës së sotme

Përfundimi i seancës së sotme ka krijuar edhe një çarje të re mes raporteve të LDK’së e Vetëvendosjes, të cilat që pas zgjedhjeve i ka bashkuar refuzimi i çfarëdo koalicioni të mundshëm me PDK’në, edhe pse vetë LDK e VV nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje.

Avdullah Hoti i LDK’së ka kërkuar nga Vetëvendosje që të jap përgjegjësi për dhunën e përdorur në Kuvend gjatë mandatit të kaluar kur ka qeverisur Isa Mustafa, si dhe për 70 dosjet e dërguara në Prokurori kundër të parit të LDK’së.

Lidhur me këtë, deputetja Besa Gaxherri ka komentuar raportet mes LDK-së dhe Vetëvendosjes, duke thënë se ata kanë filozofi krejt ndryshe nga LDK-ja.

Por, Gaxherri nuk e ka hedhur poshtë mundësinë për një marrëveshje me këtë parti, teksa ka shtuar se dialogu me ta mund të vazhdojë.

“Me Vetëvendosjen duhet shumë kompromise me bë sepse programi i VV-së, filozofia dhe sjellja e VV-së është shumë ndryshe nga LDK-ja”, ka thënë Gaxherri për Indeksonline.

“Prandaj ne nuk kemi mundur me e konsumu tërësisht kohën për të dialoguar me VV-në sepse kemi pritur që PAN-i mos i ka bë votat, siç ka deklaruar prej 3 korrik që i ka numrat. Kjo ka qenë një lojë shume e keqe prej tyre. Ne ende nuk i kemi shtjerrë mundësitë për të dialoguar me VV-në”, ka sqaruar ajo.