Deputeti i PDK-së: ROSU ju lumtë, Vetëvendosje marre ju qoftë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga PDK, Bekim Haxhiu, ka thënë se Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës kanë qenë në nivelin e detyrës derisa arrestuan Drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Por ai ka qenë kritik ndaj Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me një komunikatë të tyre të lëshuar për këtë aksion, përcjell Klan Kosova.

“Me komunikatën e tyre politike LVV ishte nën çdo nivel të pritshëm! Prandaj me të drejtë pyes: Ku u shkrua komunikata e LVV-së, në Prishtinë apo në Beograd?”

“Sot kur u dëshmua forca e shtetit, kur policët tanë me shumë mund e sakrificë zbatuan detyrën shtetërore në mbrojtje të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë së Kosovës, LVV e quan spektakël veprimin e shtetit të vet”, ka shkruar Haxhiu në Facebook, diku pas mesnate.

“Nga ky sinkronizim i LVV-së me deklaratën e Vuçiqit për Asociacionin? Sot për Asociacionin folën vetëm Vuçiqi e LVV, madje këta të fundit ia kaluan Vuçiqit me mohim të shtetit të Kosovës. Sepse Vuçiq e pranoi që ishte aksion i organizuar i fuqishëm, ndërsa LVV e quan “spektakël”!

“Edhe vendosja e sovranitetit më 25.07.2011, në pikat kufitare 1 dhe 31 për LVV paska qenë spektakël. Heroi Enver Zymberi ra në detyrë në mbrojtje të sovranitetit, jo për “spektakël”.

Haxhiu ka pohuar se Vetëvendosje bëri spektakël, duke u lidhur me mos ngritjen në këmbë të deputetit të kësaj partie, Arbër Rexhaj, derisa u intonua himni i Kosovës në Krushë, si dhe hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

“Këtë linjë të Albinit unë me kohë e kam demaskuar, e sot po e sheh e tërë Kosova”.